Monday, 5 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Trump thotë se do t’i paguajë vetë reklamat televizive pas kritikave për përdorimin e parave të taksapaguesve

Trump thotë se do t’i paguajë vetë reklamat televizive pas kritikave për përdorimin e parave të taksapaguesve

Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se do t’i paguajë vetë reklamat televizive që e promovojnë atë, ose me para të mbledhura nga komiteti politik MAGA, pas reagimeve të ashpra për përdorimin e fondeve të taksapaguesve për spote të transmetuara në shkallë kombëtare pak para zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, siç njofton Reuters.

Bëhet fjalë për tre reklama të transmetuara në televizionet kombëtare që festojnë një “epokë të artë të Amerikës”. Në njërën prej tyre, Trump deklaron se “Amerika nuk do të jetë kurrë një vend komunist”, ndërsa një kor e përsërit frazën “love me” (më duani). Një tjetër kombinon pamje të malit Rushmore me Trumpin që lavdëron “epokën e artë të Amerikës”, sipas Reuters.

Ekspertë të etikës dhe ligjvënës të të dyja partive i kanë kritikuar spotet, duke ngritur pikëpyetje nëse fondet publike po përdoren për ta promovuar politikisht Trumpin dhe nëse reklamat shkelin kufizimet e hershme për propagandën qeveritare dhe aktivitetin politik.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social të hënën, Trump i quajti reklamat “një promovim pozitiv për SHBA-në tonë të Madhe”, por tha se ato nuk do të financohen më nga taksapaguesit.

Vendimi vjen pas javësh shqyrtimi publik të fushatës së reklamave: demokratët kërkuan hetim për reklamat qeveritare me Trumpin, senatori republikan Thune doli kundër pagesave me “dollarët e taksapaguesve”, artisti JMSN i kërkoi presidentit ta hiqte këngën e tij nga spoti, ndërsa CNN zbuloi ekzistencën e 12 reklamave të tjera të papublikuara — të gjitha zhvillime të mbuluara më herët në 24-ore.com.

Lini një koment