UEFA i shpall luftë totale FIFA-s: Do të bojkotojmë çdo kompeticion derisa Infantino të bëjë një hap pas
55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar për të bojkotuar Kupën e Botës nëse FIFA vijon me planin e saj për të shitur pjesë të aksioneve në kompeticionet që organizon tek investitorë privatë.
Vendimi u mor në një mbledhje urgjente të zhvilluar të enjten, ku u diskutuan propozimet që FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, shpalli të martën.
UEFA, institucioni që drejton futbollin europian, e kishte bërë të qartë kundërshtimin e saj duke publikuar dy deklarata tepër kritike ndaj këtyre planeve. Votimi i së enjtes e ka konfirmuar edhe një herë këtë qëndrim të fortë.
Bojkoti do të përfshinte të gjitha kompeticionet e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj, Kupën e Botës për femra dhe Kupën e Botës për Klube. Ai do të hynte në fuqi nëse propozimet e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, miratohen nga federatat anëtare të organizatës.
Rasti i parë kur ky qëndrim mund të vihet në provë do të jetë në muajin tetor, kur janë planifikuar ndeshjet play-off të Kupës së Botës për femra.
Plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, synon të tërheqë rreth 3.1 miliardë paundë investime private, ndërsa grupi i investitorëve potencialë udhëhiqet nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Por kjo ide ka shkaktuar një reagim të ashpër në Evropë. UEFA kundërshton që një kompeticion me historinë dhe peshën e Kupës së Botës të trajtohet si një produkt financiar dhe jo si një trashëgimi sportive globale.
Në një deklaratë të fortë, UEFA theksoi se “Kupa e Botës nuk është në shitje”, duke paralajmëruar se federatat evropiane nuk do të marrin pjesë në kompeticionet e FIFA-s nëse ky model i pronësisë private do të miratohet.
Institucioni evropian kritikoi gjithashtu mënyrën se si është prezantuar projekti, duke e cilësuar procesin si jo transparent dhe pa konsultime të mjaftueshme me federatat që përfaqësojnë futbollin botëror.
Sipas UEFA-s, hyrja e investitorëve privatë në pronësinë e kompeticioneve të FIFA-s do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si merret çdo vendim në futbollin ndërkombëtar.
Përplasja nuk kufizohet vetëm te Evropa. Edhe konfederata aziatike ka shprehur shqetësim për mënyrën se si FIFA ka përgatitur këtë projekt pa konsultime të gjera, ndërsa dyshime janë ngritur edhe nga konfederata e Amerikës së Veriut dhe Karaibeve, CONCACAF.
FIFA, nga ana tjetër, pritet t’u kërkojë federatave anëtare të marrin një vendim për këtë propozim deri më 19 shtator. Nëse UEFA mban qëndrimin e saj, futbolli botëror mund të përballet me një ndarje të paprecedentë, ku për herë të parë në histori një konflikt mes FIFA-s dhe federatave evropiane kërcënon vetë ekzistencën e formatit aktual të Kupës së Botës.
Një betejë për pushtetin, paratë dhe të ardhmen e futbollit ka nisur. Dhe këtë herë, topi nuk është më në fushë, por në zyrat e drejtuesve të futbollit botëror.