Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaValdrin Pjetri në krye të ATP-së, Gogu: Do rrisim transparencën për qytetarët, çështja e pronës lidhet me shtetin e së drejtës dhe integrimin europian

Valdrin Pjetri në krye të ATP-së, Gogu: Do rrisim transparencën për qytetarët, çështja e pronës lidhet me shtetin e së drejtës dhe integrimin europian

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), Valdrin Pjetri, duke theksuar prioritetet kryesore që do të udhëheqin punën e institucionit në vijim. Në deklaratën e tij, Gogu u shpreh se çështja e pronës nuk është vetëm një proces administrativ, por lidhet drejtpërdrejt me historinë e qytetarëve dhe besimin e tyre te shteti.

“Pas çdo dosjeje të pronës qëndron historia e një familjeje, ndaj puna e Agjencisë nuk është vetëm administrative. Ajo është një shërbim ndaj qytetarëve, ndaj besimit te shteti dhe ndaj së drejtës”, shkruan ministri në rrjetin social Facebook.

Sipas Gogut, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të fokusohet në rritjen e ritmit të punës për trajtimin e dosjeve, rritjen e transparencës për qytetarët dhe forcimin e standardeve të integritetit në shërbim. Ministri shtoi gjithashtu se çështja e pronës ka një rëndësi të veçantë për shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit europian të vendit.

“Prioritetet tona janë të qarta: më shumë ritëm në trajtimin e dosjeve, transparencë të plotë për qytetarët, si dhe integritet dhe standarde të larta shërbimi. Çështja e pronës lidhet me shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian. Për këtë arsye, çdo përmirësim, sado i vogël, ka rëndësi”, u shpreh Gogu.

Lini një koment