Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorVendimi i FIFA-s ndryshon llogaritë e Botërorit, përballjet direkte vendosin renditjen në grupe

Vendimi i FIFA-s ndryshon llogaritë e Botërorit, përballjet direkte vendosin renditjen në grupe

FIFA ka vendosur një ndryshim të rëndësishëm në rregulloren e Kampionatit Botëror 2026, një vendim që tashmë ka ndikuar drejtpërdrejt në fatin e disa kombëtareve dhe që mund të luajë rol kyç edhe në garën për kreun e grupit të Anglisë.

Ndërsa faza e grupeve po hyn në ndeshjet e saj të dyta, disa skuadra kanë siguruar tashmë kualifikimin për në raundin e 32-të, ndërsa të tjera janë eliminuar para kohe.

Një nga ekipet që ka prerë biletën për fazën tjetër është SHBA-ja e drejtuar nga Mauricio Pochettino. Amerikanët mposhtën Australinë 2-0 në Seattle falë një autogoli të Cameron Burgess dhe golit të Alex Freeman, duke siguruar matematikisht kualifikimin edhe pse kanë ende për të luajtur sfidën e fundit të grupit ndaj Turqisë.

Në krahun tjetër, Turqia i dha lamtumirën turneut pas humbjes 1-0 ndaj Paraguait, ndërsa Haiti u eliminua pas disfatës 3-0 kundër Brazilit.

Në pamje të parë, të dyja skuadrat ruanin ende shanse teorike për të avancuar, pasi ndodheshin vetëm tre pikë larg vendeve kualifikuese. Megjithatë, një ndryshim i ri në kriteret e renditjes së FIFA-s ua mbylli çdo mundësi.

Deri në këtë edicion të Botërorit, skuadrat me pikë të barabarta renditeshin fillimisht sipas golaverazhit të përgjithshëm. Por FIFA ka vendosur që në Kupën e Botës 2026 përparësi të ketë rezultati në përballjet direkte mes ekipeve.

Kjo do të thotë se Turqia, e mundur nga Paraguai dhe Australia, nuk mund t’i kalojë këto dy kombëtare në renditje edhe nëse fiton ndeshjen e fundit ndaj SHBA-së dhe barazohet me to në pikë.

I njëjti rregull vlen edhe për Haitin. Kombëtarja karaibiane ka humbur ndaj Brazilit dhe Skocisë, ndaj edhe në rast se arrin të barazohet me skocezët në pikë pas ndeshjes së fundit, do të mbetet pas tyre për shkak të humbjes në përballjen direkte.

Ky ndryshim mund të ketë ndikim edhe te Anglia. Nëse skuadra e Thomas Tuchel fiton ndaj Ganës dhe Panamaja nuk arrin të mposhtë Kroacinë, anglezët do të sigurojnë vendin e parë në Grupin L një ndeshje përpara përfundimit të fazës së grupeve.

Edhe Gana mund të përfitojë nga ky rregull. Nëse fiton përballë Anglisë dhe Kroacia nuk merr tri pikët ndaj Panamasë, atëherë afrikanët do të ngjiten në krye të grupit.

Një tjetër skuadër që ka përfituar nga sistemi i ri është Meksika. Bashkëorganizatorët e Botërorit kanë fituar dy ndeshjet e para kundër Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut, duke siguruar kualifikimin për në raundin e 32-të.

FIFA ka ndryshuar disa herë kriteret e renditjes gjatë historisë së Kupës së Botës. Deri në vitin 1966 përdorej raporti i golave, ndërsa nga viti 1970 u aplikua sistemi i golaverazhit. Tani, për herë të parë pas dekadash, përparësi do t’u jepet rezultateve direkte mes skuadrave.

Sipas FIFA-s, qëllimi i këtij ndryshimi është të zvogëlojë ndikimin e fitoreve me diferenca shumë të thella në renditje. Kështu, rezultate si fitorja 7-1 e Gjermanisë ndaj Curacaos nuk do të kenë më peshën vendimtare që kishin më parë në garën për kualifikim, duke e bërë konkurrencën më të drejtë dhe më të balancuar.

Lini një koment