Videnoviq: “Bota serbe” e Vuçiqit është iluzion i copëtuar, Serbia duhet të largohet nga ndikimi rus
Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, ka deklaruar se Mali i Zi po afrohet me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ndikimi i Beogradit dhe i Moskës në rajon po përballet me vështirësi.
Në një intervistë për mediumin malazez Pobjeda, Videnoviq tha se qarqet politike, mediatike dhe kriminale në Serbi mund të tentojnë të pengojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, por sipas tij, ritmi i integrimit në BE po krijon një energji të re në shoqërinë malazeze.
Duke folur për kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, profesori serb tha se ai mund ta ketë kuptuar se Beogradi nuk ka më shumë për të ofruar në planin politik dhe se rruga drejt BE-së është alternativa më e favorshme.
Videnoviq kritikoi ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar konceptin e “botës serbe” si një “iluzion të copëtuar”.
Ai tha se Mali i Zi, përmes vendimeve të institucioneve të tij, po tregon rezistencë ndaj ndikimeve politike të Beogradit.
“Serbia po përballet gjithashtu me një rritje të represionit të brendshëm dhe me dobësim të mbështetjes për qeverinë aktuale”.
Më tej shtoi se politika e Beogradit ndaj Bashkimit Evropian është kontradiktore, duke e akuzuar qeverinë serbe për zhvillimin e një fushate anti-evropiane, pavarësisht deklaratave pro-BE.
Profesori i Universitetit të Beogradit foli edhe për mundësinë e ndryshimit të pushtetit në Serbi. Ai tha se forcat opozitare ende nuk kanë një plan të qartë për politikën e jashtme të vendit pas një ndryshimi të mundshëm të regjimit.
Videnoviq theksoi se, për të pasur një ndryshim të vërtetë politik në Serbi, forcat antiqeveritare duhet të arrijnë një konsensus minimal për orientimin e politikës së jashtme.
Sipas tij, dy prioritete duhet të jenë thelbësore: përshpejtimi i rrugës së Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe largimi i ndikimit rus nga vendi.
Ai argumentoi se pa këto dy ndryshime themelore, një ndërrim i pushtetit në Beograd nuk do të përbënte domosdoshmërisht një ndryshim të vërtetë të kursit politik të Serbisë./Telegrafi.