E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, SPAK kërkon 158 vite burg për grupin e Shullazit

Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, SPAK kërkon 158 vite burg për grupin e Shullazit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në dosjen e bujshme të vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005, duke kërkuar në total 150 vite burg për gjashtë të pandehurit dhe 8 vite për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi.

Në pretencën e dorëzuar përpara Gjykatës së Posaçme, SPAK kërkon dënimin me nga 25 vite heqje lirie për secilin prej të pandehurve: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi. Për të gjithë ata është kërkuar vuajtja e dënimit në burgje të sigurisë së lartë.

Detajet e pretencës për secilin të pandehur

Viktor Bajraktari (Imeraj): Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, bashkë me vepra të tjera penale si falsifikim dhe mbajtje e sendeve të ndaluara në burg.

Emiljano Shullazi: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Indrit Taullai: Kërkohen 25 vite burg për vrasjet e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, si dhe për tentativën e vrasjes së Osman Trumës dhe armëmbajtje pa leje.

Lulzim Berisha: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, tentativën e vrasjes së Osman Trumës, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal.

Plaurent Dervishaj: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, tentativën ndaj Osman Trumës, armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar kriminal.

Indrit Rusi: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, plagosjen/tentativën ndaj Osman Trumës, armëmbajtje dhe organizatë kriminale.

Rasti i të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi

Për bashkëpunëtorin e drejtësisë Luftar Reçi, dëshmia e të cilit shërbeu si pikë kthese në zbardhjen e ngjarjeve gjatë operacionit “Asgjë nuk harrohet”, prokuroria kishte kërkuar fillimisht 25 vite burg për akuzat e rënda të ngritura. Megjithatë, duke zbritur dispozitat ligjore për përfitimet e statusit të të penduarit, SPAK ka propozuar uljen përfundimtare të dënimit në 8 vite burgim.

Klodian Saliu u ekzekutua më 26 shkurt 2005 në aksin Durrës-Maminas, ndërsa një ditë më vonë, më 27 shkurt, Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi u vranë në Tiranë nga një shpërthim eksplozivi në ashensorin e pallatit. Çështja tani kalon në fazën e vendimmarrjes përfundimtare nga trupa gjykuese e GJKKO-së.

Lini një koment