Vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, SPAK kërkon 150 vite burg për 6 të pandehurit dhe 8 vite për të penduarin Luftar Reçi
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në dosjen e vrasjeve të bujshme të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005. Në pretencën e saj, SPAK kërkon dënimin me nga 25 vite burg për secilin prej gjashtë të pandehurve, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi, kërkon 8 vite burg, pas aplikimit të uljes së dënimit për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë.
Në total, për gjashtë të pandehurit, Prokuroria kërkon 150 vite burg. Për të gjithë ata është kërkuar që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Personat ndaj të cilëve SPAK ka paraqitur pretencën janë Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi.
Pretenca për secilin prej të pandehurve
Për Viktor Bajraktarin (Imeraj), SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen në rrethana të tjera cilësuese të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal. Krahas kësaj, prokuroria kërkon edhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal, 2 vite për falsifikim dokumentesh në formën e përdorimit dhe 5 vite për futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit. Pas bashkimit të dënimeve, kërkohen 25 vite burg.
Për Emiljano Shullazin, kërkohen 25 vite burg për vrasjen në rrethana të tjera cilësuese të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe 5 vite për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar i kërkuar është 25 vite burg.
Për Indrit Taullain, SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vite për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, 15 vite për vrasjen me dashje, mbetur në tentativë, të Osman Trumës, 11 vite për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve, kërkohen 25 vite burg.
Për Lulzim Berishën, pretenca e SPAK parashikon 25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, 18 vite për vrasjen me dashje, mbetur në tentativë, të Osman Trumës, 11 vite për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe 5 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar i kërkuar është 25 vite burg.
Për Plaurent Dervishajn, Prokuroria kërkon 25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, 16 vite për vrasjen me dashje, mbetur në tentativë, të Osman Trumës, 11 vite për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Edhe në këtë rast, pas bashkimit të dënimeve, kërkohen 25 vite burg.
Ndërsa për Indrit Rusin, kërkohen 25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, 15 vite për vrasjen me dashje, mbetur në tentativë, të Osman Trumës, 11 vite për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar i kërkuar është 25 vite burg.
8 vite burg për Luftar Reçin, bashkëpunëtorin e drejtësisë
Një kërkesë e veçantë është paraqitur për Luftar Reçin, bashkëpunëtorin e drejtësisë, dëshmia e të cilit luajti rol të rëndësishëm në hetimin dhe zbardhjen e këtyre ngjarjeve.
Për Reçin, SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen në rrethana të tjera cilësuese të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, 25 vite për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, 15 vite për vrasjen me dashje, mbetur në tentativë, të Osman Trumës, 10 vite për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal.
Pas bashkimit të dënimeve, Prokuroria kërkon 25 vite burg, por duke marrë parasysh statusin e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe zbatimin e dispozitave ligjore përkatëse, propozon uljen e dënimit përfundimtar në 8 vite burg.
Operacioni “Asgjë nuk harrohet”
Gjashtë të pandehurit u vunë nën akuzë në dhjetor të vitit 2020, gjatë operacionit të koduar “Asgjë nuk harrohet”, pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Klodian Saliu u vra më 26 shkurt 2005, në aksin rrugor Durrës-Maminas, ndërsa një ditë më pas, më 27 shkurt, një shpërthim eksplozivi në ashensorin e pallatit ku banonte Vajdin Lamaj në Tiranë i mori jetën këtij të fundit dhe mikut të tij, Artan Arsit.
Dëshmia e Reçit ndihmoi në orientimin e hetimeve drejt personave të dyshuar për organizimin dhe realizimin e këtyre vrasjeve, të cilat për shumë vite mbetën të pazbardhura.
Tashmë, pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga SPAK, pritet vendimmarrja e Gjykatës së Posaçme për këtë dosje të rëndësishme të krimit të organizuar.