Zbulohet problematika, pse Erling Haaland nuk “ndezi” përballë Anglisë
Erling Haaland nuk ishte në formën e tij më të mirë në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe tashmë janë zbuluar arsyet që mund të kenë ndikuar në paraqitjen e zbehtë të sulmuesit norvegjez.
Sipas ish-futbollistit të Chelseat, Tony Cascarino, ylli i Norvegjisë kishte zbritur në fushë duke vuajtur nga një virus, por pavarësisht gjendjes jo optimale kishte vendosur të luante.
Cascarino bëri të ditur se gjatë pushimit të ndeshjes Angli–Norvegji, e cila përfundoi 2-1 pas kohës shtesë në favor të anglezëve, kishte marrë informacion nga një burim i besueshëm se Haaland ishte përballur me probleme shëndetësore në ditët para takimit.
“Fizikisht nuk dukej mirë. Nuk ishte një dëmtim, por diçka tjetër. Besoj se ajo që dëgjova ishte e vërtetë, ai ishte i sëmurë”, deklaroi Cascarino për TalkSport.
Në atë sfidë, Haaland pati një ndikim shumë të vogël në lojë dhe u neutralizua nga mbrojtja angleze, me Marc Guehin dhe John Stones që nuk i lanë shumë hapësira sulmuesit norvegjez.
Disa ditë para përballjes ishte raportuar se një virus kishte prekur kampin e kombëtares së Norvegjisë, por në atë moment nuk ishin bërë publike emrat e lojtarëve të prekur.
Sipas raportimeve të fundit, mes futbollistëve të prekur ishte edhe Haaland, lojtari kryesor i skuadrës, i cili nuk arriti të ndihmonte Norvegjinë të siguronte një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.
Sulmuesi 26-vjeçar qëndroi në fushë deri në fund të pjesës së parë të kohës shtesë, përpara se trajneri Ståle Solbakken ta zëvendësonte.