Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin në Nju Jork, diskutojnë për dënimin e Speciales ndaj katërshes së UÇK-së

Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin në Nju Jork, diskutojnë për dënimin e Speciales ndaj katërshes së UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në fokus të bisedës, sipas Kurtit, ishin zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Kurti ka shprehur shqetësimin lidhur me aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se procesi ende nuk ka përfunduar dhe duke shprehur pritjen që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit.

Ai e falënderoi Pierce për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Palët diskutuan gjithashtu për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, statusin e vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje. Meqë Dame Karen Pierce feston ditëlindjen të nesërmen, Kurti i dhuroi një kujtim nga Republika e Kosovës.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment