Mediat greke zbulojnë të kaluarën kriminale të Robert Dukës, i dyshuar për 28 grabitje bankash në Greqi
Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave greke, të cilat kanë publikuar detaje mbi të kaluarën e tij kriminale, duke e lidhur atë me një seri grabitjesh të bujshme bankash në shtetin fqinj.
Sipas gazetës greke “Protothema”, Duka (i njohur gjithashtu me emrin Albert Duka) është akuzuar më herët si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që dyshohet se ka kryer plot 28 grabitje bankash në Greqi.
50-vjeçari u prangos në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjuetari i Bankave”, pasi dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura të ndodhura në zonën e Komunës së Parisit më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, ku u grabitën në total rreth 75 mijë euro.
Grabitja e fundit u regjistrua më 2 nëntor, kur autori, i maskuar dhe i veshur me të zeza, mbërriti me një skuter elektrik në filialin bankar, bllokoi dyert dhe kërcënoi me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren, duke u larguar me rreth 60 mijë euro. Grabitja e parë, e kryer pesë muaj më parë në të njëjtën zonë, kishte sjellë përvetësimin e rreth 15 mijë eurove.
Sipas raportimeve fqinje, Duka, i cili banonte në Vlorë dhe kishte marrë një apartament me qira në Tiranë si bazë operacionale, mbahej nën vëzhgim pasi dyshohej se po përgatitej të arratisej sërish drejt Greqisë. Ai u kap pranë Rrugës së Kosovarëve, ndërsa gjatë kontrollit iu sekuestruan 8,200 euro, dy aparate celulare dhe veshje të përdorura gjatë krimeve. Mediat greke raportojnë gjithashtu se bashkëshortja e tij punon në një institucion bankar në Shqipëri.
Autoritetet policore dhe prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve në kryeqytet dhe verifikimin e lidhjeve të mundshme të të dyshuarit me skemat kriminale jashtë vendit.