E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›​Mjekja-dëshmitare: Argjentinasja pas rënies nga kati i gjashtë ishte e vetëdijshme dhe komunikonte

​Mjekja-dëshmitare: Argjentinasja pas rënies nga kati i gjashtë ishte e vetëdijshme dhe komunikonte

Dëshmitarja e propozuar nga mbrojtja e Endrit Nikës, doktoresha Blerina Gashi, e cila kishte dërguar viktimën Maria Clara Urdangaray në QKUK, tha se argjentinasja pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë Kosovë, ishte e vetëdijshme dhe komunikonte me ekipin mjekësor në autoambulancë.

Duke dëshmuar në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, Gashi, e cila punon në QKMF-në e Fushë-Kosovës dhe kishte qenë pjesë e ekipit që e kishte marrë pacienten me autoambulancë, tha se gjatë transportit kishte komunikuar me të në gjuhën angleze.

Ajo po ashtu tha se e kishte pyetur të njëjtën se a ka rënë vetë nga kati i gjashtë apo e ka shtyrë dikush.

Gashi tregoi për natën e 1 gushtit të vitit 2023, prej kur kishte pranuar telefonatën.

“Kam qenë kujdestare, është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati i gjashtë, kemi shkuar. Pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar. E kemi marrë në autoambulancë. Gjatë kohës që kemi qenë në autoambulancë rrugët e frymëmarrjes i ka pasur të lira. Nuk ka pasur fraktura të jashtme që janë vërejtur, kemi vendosur terapinë në autoambulancë edhe gjatë tërë rrugës kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha ajo.

E pyetur nëse e kishte pyetur pacienten nëse ishte hedhur vetë apo nëse dikush e kishte shtyrë, dëshmitarja tha se ajo ishte përgjigjur negativisht në të dyja pyetjet.

“Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentuar me u hedh vetë apo e ka shtyrë dikush. Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo”, tha ajo.

Pyetje për dëshmitaren kishte edhe babai i viktimës, Facundo urdangaray.

Ai pyeti se a mund të shkaktohet konfuzion për një person që bie nga një lartësi e tillë.

“Një person që bie nga një lartësi e tillë a mund t’i shkaktojë konfuzion gjendja shëndetësore për t’u përgjigjur”, pyeti ai.

Doktoresha tha se Clara ka qenë e vetëdijshme edhe në QKUK.

“Kjo është individuale, prej çka unë kam parë ka qenë e vetëdijshme. Dhe çka pashë në raport te QKUK-së dhe aty ka qenë me vetëdije”, tha ajo.

Ajo u pyet edhe nga kryetari i trupit gjykues për terapinë që i kishte dhënë Clarës atë natë dhe cili është efekti i tij.

Për terapinë e dhënë nga vetë ajo, Gashi tha se vetëdija ruhet nga terapia qe i është dhënë.

“Po. Tretje fiziologjike, tramadoll dhe metoklopamid. Është individuale si mundet me reaguar. Po i ruhet vetëdija, mundet gjatë kohës varet çfarë lëndime ka. E di që ka pasur gjakderdhje të brendshme, pasi që kam pyetur kolegët. Terapia jonë nuk ka ndikuar në konfuzitetin e saj gjatë pyetjeve që kam bërë”, tha ajo.

Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025. Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej. Prokuroria pretendon se ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë, si pasojë e së cilës ajo kishte pësuar lëndime që i shkaktuan vdekjen.

Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. /kp/

Lini një koment