E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Vazhdon debati për mjekët nga diaspora – Zemaj këmbëngul: Jo 171, por as 17 nuk po i ofroni

Vazhdon debati për mjekët nga diaspora – Zemaj këmbëngul: Jo 171, por as 17 nuk po i ofroni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar sërish lidhur me deklaratat për 171 profesionistët shëndetësorë që thuhet se janë kthyer nga diaspora në Kosovë, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të publikojnë të dhënat për punësimin e tyre në institucionet publike shëndetësore.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka theksuar se nuk kërkon statistika për licencime apo angazhime të përkohshme, por emra dhe dëshmi konkrete të mjekëve që janë kthyer nga emigrimi dhe janë punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor.

“Jo 171, por as 17!”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka kërkuar të bëhet e ditur se sa nga profesionistët e përmendur janë punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe sa në spitalet rajonale.

“Jo 12 mjekë që janë kthyer për të punuar në spitalet private, por sa mjekë janë kthyer nga emigrimi dhe janë punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës?”, ka pyetur Zemaj.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja duhet të japin përgjigje konkrete për këtë çështje, duke publikuar emrat, numrat dhe dëshmitë e punësimit.

“Qytetarët dhe pacientët nuk po kërkojnë statistika për licencime, ligjërata apo angazhime të përkohshme. Po kërkojnë të dinë sa prej tyre janë kthyer për të punuar në institucionet publike shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Reagimi i Zemajt vjen pas përgjigjes së këshilltarit politik të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Durim Elshani, i cili kishte publikuar të dhënat për 171 profesionistët shëndetësorë të licencuar gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Elshani, nga 171 profesionistët, 12 kishin nënshtetësi të Kosovës dhe ishin kthyer pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane, ndërsa 159 të tjerët kishin nënshtetësi të huaj ose të dyfishtë.

Elshani kishte sqaruar se bëhet fjalë për profesionistë të licencuar për të ushtruar profesionin në Kosovë.

Megjithatë, Zemaj kërkon që institucionet të sqarojnë se sa prej tyre janë punësuar konkretisht në sektorin publik shëndetësor dhe në cilat institucione. /Telegrafi/

Lini një koment