E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Trump, Putin dhe Xi, samit trepalësh në Kinë. Në fokus Irani e Ukraina

Trump, Putin dhe Xi, samit trepalësh në Kinë. Në fokus Irani e Ukraina

Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping mund të takohen për herë të parë javën e ardhshme në Kinë, për një samit trepalësh për të diskutuar fundin e luftës në Iran.

Trump u tha gazetarëve se pret t’i takojë dy homologët në samitin e Azisë së Paqësorit që mbahet në Shenzhen, në datat 18 dhe 19 nëntor.

“Unë do të shkoj në Kinë dhe një nga takimet që do të mbaj besoj se do të jetë me presidentin Putin dhe presidentin Xi. Dhe kjo do të jetë interesante”, deklaroi Trump.

Sipas tij, çështjet që do të diskutohen do të jenë të shumta. “Do të flasim për shumë gjëra, përfshirë çarmatosjen bërthamore. Po përpiqemi edhe t’i japim fund luftës në Iran”, vijoi presidenti amerikan.

Nëse ndodh, ky do të jetë një takim historik, edhe pse tre liderët ka pak gjasa të diskutojnë ndonjë gjë thelbësore, për shkak se interesat e tyre janë të ndryshme.

Takimi trepalësh, i pari në llojin e tij, u njoftua për herë të parë nga Moska më 21 tetor, kur Kremlini deklaroi se përgatitjet ishin në zhvillim e sipër.

Njoftimi erdhi pas një raportimi të “Wall Street Journal” se Putin kërkonte bisedime trepalëshe për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën, që do të shkonte në favor të Rusisë.

“Mendoj se takimi do të mbahet. Çështja është tek formati dhe përmbajtja e tij. Kinës i intereson imazhi, por jo të bartë kosto”, ka deklaruar studiuesi Sun Yyn.

Në Amerikë, Trump është kritikuar shpesh herë për dobësinë e shprehur për liderët autoritarë, pikërisht si ata të Kinës dhe Rusisë.

“Putin është personi që do të fitonte më shumë nga një trakim trepalësh dhe rusët janë ata që e kanë nxitur atë. Diçka e tillë do të ishte një grusht diplomatik”, ka thënë Danny Russel, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit gjatë administratës Obama.

Nga ana tjetër, ka shtuar ai, edhe Trump do ta dëshironte një takim të tillë, edhe pse është paralajmëruar nga këshilltarët e tij që të bëjë kujdes sa i takon bisedimeve për Ukrainën.

Në fund, takimi mund të rezultojë asgjë më shumë se një shans për një foto të përbashkët, të cilat kanë pak efekte tek marrëdhëniet diplomatike. Ndaj, spektakli mund të jetë historik, pa prodhuar asgjë të rëndësishme.

Lini një koment