E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Trump: Ukraina e post-luftës do të ketë një formë tjetër në hartë

Trump: Ukraina e post-luftës do të ketë një formë tjetër në hartë

Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se territori i Ukrainës mund të ndryshojë në kuadër të marrëveshjes së ardhshme me Rusinë.

Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë ka ardhur pak ditë përpara bisedimeve Kiev-Moskë, të ndërmjetësuara nga SHBA në Abu Dabi.

“Mendoj se do ta arrijmë marrëveshjen dhe mendoj se ndryshimi do të ndodhë. Ukraina do të ketë një formë paksa ndryshe”, tha Trump në një intervistë për CBS, e publikuar këtë të hënë.

Komentet e tij erdhën në prag të takimit trepalësh të parashikuar për më 10 dhe 11 nëntor mes përfaqësuesve rusë, atyre ukrainas dhe atyre amerikanë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Trump u shpreh besimplotë se arritja e marrëveshjes është e mundur, edhe pse Kievi dhe Moska mbeten thellësisht të ndara sa i takon koncesioneve territoriale dhe çështjeve të sigurisë që do të pasojnë në rast të një armëpushimi.

“Ka një takim të rëndësishëm. Besoj se lufta do të përfundojë dhe do të përfundojë shumë shpejt. Dhe e vetmja arsye përse kjo do të ndodhë jam unë”, vijoi Trump.

Presidenti amerikan nuk sqaroi se çfarë donte të thoshte me formën ndryshe të territorit ukrainas, si dhe nuk dha detaje mbi koncesionet e mundshme territoriale.

Për momentin, Rusia dhe Ukraina mbeten thellësisht të ndara sa i takon marrëveshjes, sidomos sa i takon së ardhmes së territoreve të pushtuara nga forcat ruse.

Presidenti Putin ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të tërheqë trupat nga rajonet që Moska pretendon se ka aneksuar në vitin 2022, pavarësisht se nuk i ka nën kontroll të plotë ato.

Kremlini gjithashtu insiston që Kievi të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n dhe të pranojë kufizimet e kapaciteteve të forcave të saj të armatosura.

Vetë Kievi zyrtar i ka hedhur poshtë kërkesat për të lëshuar territor, përfshirë zonat që Rusia ka dështuar të pushtojë ushtarakisht dhe insiston se garancitë reale për sigurinë janë jetike për të parandaluar një pushtim të ardhshëm.

Lini një koment