“PD është në kaos dhe pa strategji” / Leka: Berisha s’mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, ja çfarë e pret op
Partia Demokratike ndodhet në një situatë të vështirë politike dhe, sipas këtij qëndrimi, i mungon një strategji e qartë për të përcaktuar prioritetet e opozitës.
Sipas analistit Martin Leka, pretendimet për zgjedhje të parakohshme konsiderohen të parealizueshme, pasi mazhoranca ka numrat e nevojshëm në Kuvend për të vijuar objektivat e saj, ndërsa opozita duhet të përqendrohet te zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme të vitit 2029. Në këtë situatë, pritet që PD dhe Partia Socialiste të ulen në tryezën e përbashkët për të diskutuar reformat legjislative, ndërsa mbetet e paqartë mundësia e një koalicioni të demokratëve me partitë e vogla.
“PD në këtë situatë është e çorientuar sepse nuk i di prioritetet e opozitës. PD në këtë kaos që gjendet ka kapitulluar se e vetmja mënyrë për të qenë faktor është zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme në 2029. Është e kotë që ajo të pretendojë për zgjedhje të parakohshme. Fakti ka treguar që mazhoranca ka të gjithë numrat e nevojshëm për të realizuar objektivat e saj, që është integrimi në BE.
PD e ka kuptuar që s’mund ta bojkotojë më parlamentin. Të dy partitë e mëdha do të bëjnë të mundur që të ulen në tryezën e reformave legjislative, për të bërë të mundur qeverisje më të konsoliduar. Nuk mendoj që Berisha do të arrijë një koalicion me partitë e vogla, sepse të shtunën pati një përplasje mes protestuesve. Me 101 deputetë në Kuvend, përfiton populli.
Do të kemi sistemin amerikan të demokracisë me dy parti të mëdha. E rëndësishme është që e gjithë infrastruktura kushtetuese të jetë në funksion të një demokracie sa më përfaqësuese dhe pushteti të jetë i kontrolluar nga sa më shumë njerëz që quhen përfaqësues të popullit”, tha Leka.